Advertisement

179 viktima nga sëmundja misterioze në Kongo!

Një sëmundje e çuditshme, e re, e përhapur në zemër të Afrikës, ka shkaktuar vdekjen e 179 personave dhe shumica e viktimave janë adoleshentë, siç bënë të ditur autoritetet, referuar “New York Post”-it.

Sëmundja e paidentifikuar ka infektuar të paktën 300 persona në Republikën Demokratike të Kongos që nga 10 nëntori – duke shkaktuar simptoma të ngjashme me gripin duke përfshirë ethe, dhimbje koke, kollë, vështirësi në frymëmarrje, si dhe anemi, raportoi Ministria e Shëndetësisë e vendit afrikan. Shumica e të vdekurve kanë qenë nga mosha 16-18 vjeç, siç vunë në dukje zyrtarët.

Qeveria ka dërguar një ekip mjekësor në provincën Kwango ku sëmundja është më e zakonshme, për të hetuar shpërthimin e çuditshëm. Qeveria u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë të qetë, por Cephorien Manzanza, një drejtues i shoqërisë civile tha se numri në rritje i rasteve është vërtet alarmant.

Panzi është një zonë shëndetësore rurale ku ka një problem me furnizimin me ilaçe, tha ai, duke iu referuar fshatit më të goditur nga sëmundja. Përhapja vjen para përvjetorit të pestë të rastit të parë të regjistruar të COVID-19 në Wuhan të Kinës.

Republika Demokratike e Kongos është një vatër për sëmundje të rrezikshme duke përfshirë ebolën dhe së fundmi, linë e majmunit e që infektoi të paktën 14 mijë e 500 persona nga muaji janar e deri në korrik të këtij viti.