Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy njoftoi do t’i bëjë thirrje NATO-s që të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Po ashtu, pritet t’i bëjë thirrje Aleancës të pengojë bashkëpunimin mes Moskës e vendeve të tjera, pas dislokimit së 10 mijë trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë e që vijon prej shkurtit të vitit 2022.
Investimi në sigurinë e Ukrainës është nje investim në sigurinë euroatlantike e globale. 99% e mbështetjes ushtarake për Ukrainën ka qenë nga aleatët e NATO-s. Kjo mbështetje është kritike për t’i mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër agresionit rus dhe Britania e Madhe e aleatët duhet që të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar që Kievi të mbizotërojë.
Deklarata e zyrtarit të Londrës vjen në kohën kur po vazhdojnë që të ngrihen pikëpyetje në lidhje me ndikimin e presidencës së dytë të Donald Trump-it në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, pasi presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara u shpreh se do të donte që t’i jepte fund konfliktit që në “ditën e parë” të mandatit të tij.
Ukraina duhet të vendoset në pozitën më të fortë të mundshme për negociata, për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, u shpreh më herët kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer teksa theksoi se Britania e Madhe do të mbështeste Ukrainën për aq kohë sa do të duhej ndërsa mbajti një fjalim në Banketin e Lordit të Bashkisë në Londër. Hera e parë që Starmer pranoi se konfliktit mund t’i jepet fund përmes negociatave.
NATO është e shqetësuar nga aktet e reja serioze të sabotimit dhe sulmeve kibernetike në territorin e aleancës. Kjo u theksua nga një zyrtar i lartë pas një takimi të ministrave të Jashtëm në Bruksel. Sipas tij, në veçanti Rusia duket se po bëhet më e gatshme për të dëmtuar apo rrezikuar jetë përmes sabotimeve në vendet anëtare të NATO-s.
Kina, Irani dhe Koreja e Veriut janë gjithashtu aktive në sulme kibernetike. Në NATO thonë se ashtu si Moska, edhe Pekini po kryen një fushatë të vazhdueshme për të përhapur viruse, me synim kryerjen e spiunazhit, si edhe aftësinë për të shkaktuar përçarje në rast të rritjes së tensioneve. Rusia fokusohet në infrastrukturën e rëndësishme e sidomos në sistemet e kontrollit industrial.