Kuba nuk e konsideron “real” e “të drejtë” propozimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të dëbuar në masë të madhe emigrantët që jetojnë në mënyrë të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara. Në mesin e tyre mund të ketë edhe kubanë. Qëndrimin e shprehu zv.ministri i Jashtëm i Kubës, Carlos Fernandez de Cossio, pas një takimi me homologë nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden në Havanë. Për gazetarët u shpreh:
Çdo propozim i tillë për dëbim duhet të shqyrtohet brenda kufijve të marrëveshjeve ekzistuese për emigracionin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Kubës. Në këtë kontekst, nuk është gjë reale të mendohet se mund të ketë dëbime masive nga Amerika në Kubë.
Sipas marrëveshjeve ekzistuese, Kuba ka pranuar një numër të vogël njerëzish të dëbuar nga SHBA-të në rrugë ajrore e detare gjatë administratës Biden. Ndërkaq, Trump-i u zotua se do ta luftojë emigracionin duke dëbuar një numër rekord emigrantësh. Zv.presidenti i zgjedhur JD Vance, vlerësoi se deri në 1 milion njerëz mund të dëbohen në vit.
Tom Homan, i emëruari i Trump-it për çështjet kufitare u shpreh se “kryesisht do të dëbohen kriminelët dhe ata që kanë urdhra përfundimtarë për dëbim, por specifikisht, nuk përjashtoi grupe apo kombësi të caktuara”.
Propozimi i Trump-it për dëbime nuk u diskutua me zyrtarët e Biden-it gjatë bisedimeve dypalëshe për emigracionin, tha de Cossio.
“Një delegacion i Uashingtonit shkoi në Havanë për të riparë Marrëveshjet mbi Emigracionin mes SHBA-ve e Kubës e që datojnë nga viti 1984”, siç bëri të ditur Brian Nichols, diplomati kryesor amerikan për Amerikën Latine.
Delegacioni nënvizoi suksesin tonë në frenimin e emigracionit të parregullt detar dhe tokësor nga Kuba.
Nuk është e qartë nëse Trump do t’i respektojë marrëveshjet ekzistuese me Kubën apo do të përpiqet t’i rinegociojë, siç ka vepruar në rrethana të tjera. Prej dekadash, Kuba kritikon embargon tregtare të epokës së Luftës së Ftohtë nga SHBA-të për shkatërrimin e ekonomisë së saj dhe nxitjen e emigracionit në masë të kubanëve në Shtetet e Bashkuara.
Por dëbimi i madh e kthimi i tyre në shtëpi do të ishte drastik dhe i padrejtë, tha de Cossio. Të përpiqesh të dëbosh qindra mijëra kubanë për në Kubë… do të thotë të shkulësh nga rrënjët njerëz që tashmë kanë ndërtuar jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara.