Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot pritet të përballen për luftën në Ukrainë gjatë një takimi vjetor të OSBE-së në Maltë. Formalisht pritet të miratohen akordet e arritura në çastet e fundit për çështje që përfshijnë edhe detyrat e larta lidhur me sigurinë e të drejtat të njeriut në OSBE. Shpesh, fuqitë perëndimore akuzojnë Rusinë se shkel të drejtat e njeriut, si dhe normat ndërkombëtare.
Takimi i ministrave të Jashtëm e të tjerë zyrtarëve nga 57 shtete anëtare nga Amerika Veriore, Europa e Azia Qendrore, këtë vit u la nën hije nga kthimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Këshilltarët e tij po shqyrtojnë propozime për t’i dhënë fund luftës që do t’i falte Rusisë pjesë të mëdha të territorit të Ukrainës.
Duke qenë se Trump-i do të marrë detyrën pas rreth një muaji, vendet perëndimore synojnë që të përsërisin mbështetjen e tyre për Ukrainën ndërsa sipas të gjitha gjasave, Rusia do të përsërisë kritikat ndaj OSBE-së. Vitin e kaluar, Lavrov u shpreh se “në thelb, OSBE-ja po shndërrohet në një shtojcë të NATO-s e të Bashkimit Europian”.
Kjo është vizita e parë e Lavrovit në një vend të Bashkimit Europian, që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022 e që vijon prej rreth tre vitesh tashmë.
OSBE-ja është pasardhëse e një organizate të themeluar gjatë Luftës së Ftohtë për të angazhuar në dialog, lindjen dhe perëndimin. Por vitet e fundit dhe sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës, Moska ka përdorur të drejtën e saj të vetos e që e ka çdo vend anëtar, për të bllokuar shumë vendime kyçe, shpesh duke e paralizuar organizatën.
Megjithatë, këtë vit, dy vendet që po e bllokojnë marrëveshjen për buxhetin e OSBE-së janë Armenia e Azerbajxhani. Sipas burimeve diplomatike, kjo ndodh për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me konfliktin e tyre në territorin e kontestuar të Nagorno-Karabakut.
Diplomatët thonë se këtë javë është arritur një marrëveshje për të plotësuar katër pozicione të larta në OSBE, duke përfshirë atë të sekretarit të Përgjithshëm, të cilin do ta marrë turku Feridun Sinirlioglu.