Në Korenë e Jugut arrestohet ish-ministri i Mbrojtjes, i dyshuar se rekomandoi shpalljen e gjendjes së luftës, vendim që u mor më herët gjatë javës nga presidenti Yoon Suk Yeol dhe u tërhoq në pak orë po prej tij. Kim Yong Hyun është e para figurë e lartë që arrestohet për këtë rast.
Ky zhvillim vjen një ditë pas Yoon shmangu një mocion për shkarkimin e tij, të nisur në Parlament nga opozita. Kjo pasi ligjvënësit e partisë në pushtet bojkotuan votimin. Për pezullimin e detyrave të kryetarit të shtetit kërkohen dy të tretat e shumicës parlamentare. Partia Demokratike në opozitë njoftoi se do të përgatisë një mocion të ri shkarkimi.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong Hyun, u dërgua në një qendër paraburgimi në Seul, pasi u hetua nga prokurorët. Mediat raportuan se Kim u paraqit vullnetarisht në zyrën e prokurorëve në Seul, ku iu konfiskua telefoni celular dhe u arrestua. Policia sot kontrolloi shtëpinë dhe ish-zyrën e tij.
Autoritetet kanë nisur një hetim, përmes një ekipi të posaçëm me 62 anëtarë, lidhur me shpalljen e gjendjes së luftës. Hetimet nuk do të kursejnë asnjë të dyshuar.
Yoon pranoi dorëheqjen e Kim-it më 5 dhjetor, pasi partitë opozitare dorëzuan mocion të ndarë për shkarkimin e tij. Kim ishte figurë qendrore në zbatimin e gjendjes së luftës të shpallur nga Yoon dhe drejtoi forcat speciale për të rrethuar Asamblenë Kombëtare ndërsa helikopterët ushtarakë patrulluan mbi objekt. Ushtria u tërhoq kur në mënyrë unanime, Parlamenti votoi për rrëzimin e dekretit të Yoon-it, duke e detyruar presidentin ta tërhiqte vendimin.
Përmes një deklarate të lëshuar më herët gjatë javës, Kim tha:
Të gjitha trupat kryen detyrat e tyre në bazë të vendimit për gjendjen e luftës dhe vepruan sipas udhëzimeve të mia. E gjithë përgjegjësia bie mbi mua.
Prokuroria planifikon të hetojë akuzat për rebelim ndaj Yoon-it. Presidenti ka një lloj imuniteti nga ndjekja penale për aq kohë sa është në detyrë, por imuniteti nuk e mbron në rast akuzash për rebelim apo tradhti.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut pezulloi tre komandantë të lartë ushtarakë pas dyshimeve mbi përfshirjen e tyre në zbatimin e gjendjes së luftës. Presidenti Yoon dje kërkoi falje për shpalljen e gjendjes së luftës.
Shpallja e gjendjes së luftës erdhi nga dëshpërimi im si president.
Ligjvënës nga partia në pushtet dhe opozita thanë se ushtarët ishin urdhëruar që të arrestonin politikanët kryesorë. Ndërkaq, thuhet se njësive speciale të policisë iu ishte dhënë urdhri që të largonin deputetët nga Parlamenti.