Advertisement

Departamenti Amerikan i Shtetit shpall Altin Dumanin kampion të antikorrupsionit, profili i kreut të SPAK që po ndëshkon krimin

Departamenti Amerikan i Shtetit shpall kreun e SPAK, Altin Dumanin kampion të antikorrupsionit.

Kryeprokurori i SPAK ka marrë vlerësimin nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, gjatë ceremonisë për “Çmimet e Departamentit të Shtetit për kampionët anti-korrupsion”, në Uashington. Ishte Sekretari Antoni Blinken që ndau çmimet për 10 kampionët kundër korrupsionit në të gjithë botën, mes tyre edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Blinken tha se numri një i listës ishte pikërisht drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, pasi “ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit” dhe se “ka goditur politikanë të lartë dhe grupe kriminale”. Ai i cilësoi si një nga njerëzit më të besueshëm në Shqipëri Dumanin dhe SPAK.

Por kush është Altin Dumani?

Kapërcimi i derës së KLP nga Altin Dumani verën e 2019, ndodhi në kohën kur SPAK ishte ende një projekt që pakkush  mund ta parashikonte se sa lart do të ndëshkonte në emër të ligjit.

Si çdo hap i vogël, por të  rëndësishëm  Altin Dumani, sot 50 vjeç kërkoi që në fillim të kalonte testet për prokuror të thjeshtë në skuadrën e SPAK .  Forca që po projektohej të ndëshkonte të pandëshkueshmit brenda një terreni ku korrupsioni dhe krimi i organizuar ishin ulur këmbëkryq.

Në karrierën e tij , Dumani është shprehur vazhdimisht se detyra e prokurorit është një mision dhe jo një punë.  Nga 1999 kur hyri në sistemin e drejtësisë, prokurori Altin Duman ndërtoi  profilin e një shërbëtori të ligjit duke hetuar në qytete të trazuara për kohën sikurse ishte Tropoja .

I palëkundur në vazhdim Altin Dumani provoi  përmes hetimeve të njësisë task- force e para e mbështetur nga amerikanët, dhe më tej pranë prokurorisë së krimeve të rënda por edhe në apel; se kush kishte shkelur ligjin nuk mund të shpëtonte për procedurë.

“Emri nuk më bën përshtypje, rëndësi ka prova” – u shpreh Dumani, ditën kur kërkoi të ishte një nga ata që do të nisnin ndryshimin. T’i shikojë të gjithë njësoj pavarësisht  pushtetit ishte një parim që e përsëriti edhe gjatë garës për kryeprokuror i SPAK

Pikërisht gjatë kësaj gare ambasadorja Yuri Kim e cila surprizoi me një vizitë të beftë dha mesazhin se kushdo që do të zgjidhet duhet të mbajë parasysh që pronar i tij është ligji. Nuk u tha shqip që  amerikanët po mbështesnin Dumanin, megjithatë kjo ishte e qartë

“Prokuroria e Posaçme duhet të bëjë të mundur një Shqipëri ku cilido që kryen një krim duhet të ndëshkohet, pavarësisht pushtetit dhe fuqisë që ka. Dhe duhet bërë e qartë që e vetmja shpresë për ti shpëtuar ligjit është të mos kryejë krim”, tha Dumani.

Në  krye të SPAK prej 2022, Altin Dumani i nderuar sot kampion kundër korrupsionit,  po tregon së bashku me skuadrën e posaçme se se “ ligji është i barabartë për të gjithë”.