Advertisement

Presidentja Osmani, takime në Kongresin Amerikan për forcimin e partneritetit!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po takon zyrtarë të Kongresit Amerikan, me të cilët tha se po diskuton për rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë sektorë të vendit që drejton. Përmes disa postimeve në Facebook, Osmani bëri të ditur se ka takuar senatorët republikanë: Ted Cruz, Joni Ernst dhe Thom Tillis, si dhe ligjvënësit Gary Palmer, Pete Sessions e Mike Lawler.

Bashkëpunimi dhe komunikimi i rregullt janë kyç për veprim të duhur në kohë të duhur. Kosova dhe SHBA-të kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj ky edhe është një nga objektivat kryesorë në rrugëtimin përpara. Kam diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, me qëllim të parandalimit të përpjekjeve të aktorëve të dëmshëm për më shumë kaos dhe jostabilitet.

Vizita e Osmanit në SHBA është duke u zhvilluar disa javë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump. Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Europën dhe Euroazinë në USAID, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se marrëdhëniet e SHBA-ve me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme dhe se është e bindur se do të vazhdojë përkushtimi i popullit amerikan ndaj atij të Kosovës.

Amerika ka ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998 dhe mbështetja e këtij vendi ka qenë vendimtare, përfshirë rrugën drejt pavarësisë. Drejtues shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e Uashingtonit është jetike.

Në disa raste, vitet e fundit, raportet e Shteteve të Bashkuara me qeverinë e Kosovës janë tendosur, ndonëse zyrtarë qeveritarë kanë përsëritur vazhdimisht se koordinohen dhe kanë bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.