Advertisement

Lajçak: Kosova të themelojë Asociacionin, Serbia të njohë simbolet e Kosovës!

ërfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bëri të ditur se në Bruksel, Prishtinës dhe Beogradit iu kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrimin në Bashkimin Europian dhe se dy proceset janë të lidhur me njëri-tjetrin.

Lajçak u shpreh se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi e me të Serbisë, Petar Petkoviç, diskutuan për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe përmendi “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-shit, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve e simboleve të Kosovës”.

Deklaratat e Lajçakut, të bëra në llogarinë e tij në rrjetin social X, erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Dakordësia lidhur me zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte një hap i rëndësishëm e që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet.

Sipas Kryqit të Kuq, ende në Kosovë janë 1 mijë e 612 persona të pagjetur nga lufta. Emisari europian ka paralajmëruar se së shpejti, Brukseli do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët. Nga ana tjetër, Bislimi vuri në dukje se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-ës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje vitin e kaluar për Deklaratën e përbashkët mbi personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian. Por deri tani, asnjë prej këtyre zotimeve nuk është realizuar në praktikë.