Advertisement

Përdorim rekord i qymyrit në botë për vitin që po lëmë pas!

Përdorimi botëror i qymyrit pritet të arrijë nivelin rekord të të gjitha kohëve më 2024-ën. Kështu thekson Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë ndërsa sipas të gjitha gjasave, viti që po lëmë pas pritet të jetë më i ngrohti i regjistruar në histori.

Pavarësisht thirrjeve për të ndalur djegien e qymyrit që po nxit ndryshime klimatike, ANE pret që kërkesa globale për qymyr të arrijë shifra rekord për të tretin vit rresht, raporton AFP-ja.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se gazrat serrë që ngrohin planetin duhet të reduktohen në mënyrë drastike, për të kufizuar ngrohjen globale, në mënyrë që të shmangen efektet katastrofike ndaj Tokës dhe njerëzimit. Më herët, në muajin dhjetor, monitoruesi i klimës i Bashkimit Europian, Copernicus, tha se viti 2024 “pothuajse me siguri” do të jetë më i nxehti në histori, duke thyer rekordin e vënë nga viti i kaluar.

Raporti “Qymyri 2024” i ANE-së, i publikuar sot, thekson se “bota do të arrijë kulmin e përdorimit të qymyrit në vitin 2027 dhe vetëm këtë vit ka kapërcyer shifrën e 8.77 miliardë tonëve.

Por, kjo do të varet nga Kina, që gjatë çerekshekullit të fundit ka konsumuar 30% më shumë qymyr se pjesa tjetër e botës bashkë.

Kërkesa në rritje e Kinës për energji ka qenë një faktor më i madh e që qëndron pas rritjes së përdorimit të qymyrit. Kjo në kohën kur më shumë se një e treta e qymyrit të përdorur në botë është karbonizuar në termocentrale. Rritja e kërkesës për qymyr në Kinë, si dhe në ekonomitë në rritje, si India e Indonezia, minimizuan rënien e vazhdueshme në ekonomitë e përparuara.

Megjithatë, kjo rënie është ngadalësuar në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorimi i qymyrit atje pritet të ulet me 12%, përkatësisht në 5, krahasuar me 23 e 17% vitin e kaluar.