Advertisement

Detaje të reja, Eurovision 2025 do të frymëzohet nga tradita e Zvicrës?!

Përfaqësuesit e transmetuesit zviceran SRG SSR gjatë një konference për shtyp zbuluan detaje rreth temës dhe fazës së edicionit të 69-të të Eurovizionit, pasi Nemo fitoi me këngën “The Code”, në Malmö, Suedi. Qyteti i Bazelit do të presë garën prestigjioze në Stadion St. Jakob Park, në datat 13, 15 dhe 17 maj. I frymëzuar nga tradita zvicerane e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila sillet rreth dëgjimit dhe dialogut, drejtori artistik Artur Deyneuve zgjodhi “dëgjimin” si temë qendrore të konkursit, duke e quajtur atë “Uniteti i jep formë dashurisë”.

“Nëse dëgjojmë njëri-tjetrin, gjejmë dashurinë”-tha ai. Ky mesazh është kapur edhe vizualisht përmes simbolit ikonik të zemrës së Eurovizionit, i cili këtë vit simbolizon dialogun, unitetin dhe fuqinë e muzikës për t’i afruar njerëzit. Florian Wieder mbikëqyr skenën e Eurovizionit për herë të tetë, duke marrë frymëzim nga malet e vendit dhe diversiteti gjuhësor. “Qëllimi ynë ishte të krijonim një koncept revolucionar skenik, një përvojë holistike që nuk e kemi parë kurrë më parë në Eurovizion. Falë paraqitjes gjithëpërfshirëse të skenës, publiku do të bëhet pjesë e Eurovizionit si kurrë më parë”-tha ai në konferencën për shtyp.

Reto Peritz dhe Moritz Stadler, bashkëproducentët ekzekutivë të konkursit, janë të kënaqur me dizajnin zviceran: “Florian Wieder ka arritur të krijojë një ‘skenë signature’, e cila do të lidhet përgjithmonë me Eurovizionin në Zvicër, duke simbolizuar fuqinë unifikuese të muzikës”-thanë ndër të tjera ata. Në konkursin e 69-të të këngës në Eurovizion do të marrin pjesë 38 vende, përfshirë Malin e Zi, i cili po rikthehet pas një mungese dyvjeçare.

Sipas faqes zyrtare të Eurovizionit, platforma zvicerane e biletave, TicketCorner, është partneri zyrtar i biletave për Eurovision 2025. Biletat e para për shfaqjen do të jenë në dispozicion pas shortit për gjysmëfinalet, më 29 janar 2025, por më parë kërkohet regjistrimi i cili përfundon në mesnatën e datës 10 janar 2025. Nina Zizic u zgjodh përfaqësuesja e re e Malit të Zi në Eurovision pas tërheqjes së grupit NeonoeN. Ky informacion është publikuar në profilet zyrtare të Montesong. Ajo do të përfaqësojë vendin e saj me këngën “Dobrodosli”. “Nina, paç fat! Qofshi të lumtur, përgatitjet fillojnë së shpejti”-kanë shkruar ata.