Në seancën e së premtes, më 29.11.2024 ndaj të akuzuarit për krime lufte, Sllagjan Trajkoviq janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Sllagjan Trajkoviq po akuzohet nga prokuroria se në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të Komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Fillimisht në seancën e sotme, i pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte dëshmitari Avni Selimi, i cili vazhdoi dëshminë e tij nga seanca e kaluar e datës 26.11.2024.
Dëshmitari Selimi tha se nuk kishte qenë në dijeni se ndonjë familjar i tij kishte qenë pjesëtar i UÇK-së.
Pasi që dëshmitari tha se nuk është në dijeni, mbrojtësi i të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq i tregoj një foto nga telefoni dëshmitarit Selimi, në të cilën ishte një foto e vëllait të tij me uniformë të UÇK-së. “Pse nuk e thatë që vëllai juaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së” – e pyeti mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq.
“Sepse unë nuk jam në dijeni që ai ka qenë pjesëtar, megjithatë çdo 28 nëntor, ne vishemi me tesha të UÇK-s dhe dalim në shëtitje, por unë nuk jam në dijeni se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së.” – tha dëshmitari Selimi.
“Asnjëherë nuk e ka pasë llaf me mu baba që Tahiri ka qenë pjestar i UÇK-së, po ashtu nuk kam asnjë arsye ta fsheh ketë gjë, madje do të mburresha, përndryshe unë qysh kam specifikuar për djalin e axhës, që ka qenë pjestar i UÇK-së, po ashtu do të deklaroja për vëllain tim” – shtoi tutje dëshmitari Selimi në pyetjet e avokatit Vasiq.
Ai gjatë dëshmisë së tij, u pyet nga ana e avokatit, Dejan Vasiq edhe për vrasjen e H.S..
“Unë kam dëshmuar deri tash vetëm për atë çfarë kam parë me sytë e mi, kur kanë hy forcat serbe, H., ka qenë në shtëpinë e vet, prej aty ka lëvizë dhe ka shku tek fëmijët e mi ku i kanë qit para pragu, ka nejt me fëmijët e mi para pragu, kur janë tutë fëmija e mi, tash po flas cka kam të dëgjume, nuk e kam parë momentin e vrasjes së H., Sllagjani e din kush e ka vra” – tha dëshmitari Selimi lidhur me këtë pyetje.
“A ju ka treguar babai për këtë, kush e ka vra H.,” ? – ishte pyetje e radhës e cila ju drejtua nga avokati Vasiq, dëshmitarit Selimi.
Dëshmitari tha se sipas babait të tij, i akuzuari Sllagjan Trajkoviq ishte ai që e kishte vrarë H.S..
“Po, sipas babait tim ai ka thënë që H., e ka vra Sllagjan Trajokoviqi, ndërsa unë nuk e kam parë”- tha dëshmitari Selimi.
Selimi gjatë dëshmisë së tij tha se e ndjera H., ka qenë në dy pjesë të trupit e therur dhe i kishte pasur dy plagë. I njëjti tha se kur H., ishte futur nga forcat serbe në shtëpi, babai tij kishte thënë se atë e kishte vrarë i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
“Deklaroj se në bazë të asaj që më ka thënë babai, këtë vrasje e ka kryer Sllagjani, ndërsa unë nuk mund të them që e ka vra Sllagjani pasi nuk e kam parë me sytë e mi” – tha Selimi.
I akuzuari Sllagjan Trajkoviq pyeti dëshmitarin Selimi se pse ai nuk e kishte paraqitur në polici atë kur ishin bërë hetimet nga ana e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Lidhur me këtë, dëshmitari Selimi tha se “atëherë ka dhënë baba i ndjerë dëshmi dhe unë tu mendu që ky është diku në Serbi, andaj dhe nuk kam shku me dhënë deklaratë”.
Lidhur me vrasjen e H.S., dhe L.S., prokurorja Salihu-Shamolli, njoftoi se lidhur me këtë rast janë pushuar hetimet ndaj të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq dhe vëllaut të tij, nga ish prokurorët e EULEX-it, duke shtuar se kjo pjesë nuk është më çështje e akuzës.
Tutje, seanca ka vazhduar edhe me dëshminë e dëshmitarit Avni Melenica.
Në pyetjen e prokurores Salihu Shamolli për datën 22 maj 1999 se çfarë kishte ndodhur këtë ditë. Dëshmitari Melenica tha se me datë 22 maj 1999 ishin njoftuar nga axha i tij se kishin qenë të rrethuar.
“Me 22 maj, rreth orës 08:00 të mëngjesit, axha jem ka ardhë në oborr në shtëpinë time, na ka njoftuar që jemi të rrethuar edhe presin që në çdo moment me na qit prej shtëpisë, rreth orës 08:35-08:40. Njësiti special i forcave Jugosllave ka hy në oborrin tonë, kanë qenë 5-7 vetë edhe na kanë urdhëru me dal me kërkesën që kemi me shku te një vend i caktum për me i marrë do kartona të gjelbër” – tha dëshmitari Melenica.
Tutje, dëshmitari Melenica tha se në rrugë ishin takuar me fqinjët e tyre që kishin qenë diku afër 50-60 persona dhe se rruga kishte qenë me ushtarë të njëjtë të Njësisë Speciale.
Dëshmitari Melenica tha se një grup që kishte qenë aty me rroba ushtarake i kishin grumbulluar para një dyqani jo funksional dhe se kishin filluar t’i ndajnë njerëzit, dhe ndarja kishte qenë e rastësishme.
“Pas ndarjes fillestare diku 13-15 persona po të njëjtit kanë filluar me u marrë grave vathët, varset, orët dhe pas asaj kanë fillu me i marrë 3-4 vetë e ndër ta më kanë ftu edhe mua,.. me një fjalë time dhe unë kam thënë që jam i sëmurë dhe ata më kanë thënë të qëndroj aty,… njëri prej atyre personave ka bërtitur me të madhe, këta për neve le të shkojnë kah varrezat, këta të tjerët, ata që i kishin nda, tash janë të tutë”” – shtoi tutje dëshmitari Melenica.
Dëshmitari Melenica tha se në vendin te varrezat kishte qenë një hapësirë, fushë e madhe ku kishin qenë diku rreth 30 mijë njerëz.
Dëshmitari Melenica tutje tha se ishte formuar edhe një korridor i përbërë nga ushtarët në të cilën ishin dashur të kalojnë të gjithë.
Dëshmitari tha se personat që ishin marrë në fillim ishin vrarë të gjithë dhe të njëjtit ishin gjetur në mënyra të ndara, në varrezat e Batanicës në vitet 2000-2013. Dëshmitari po ashtu tha se në atë ditë ishin vrarë 68 persona, në të cilën një vajzë është ende e pagjetur.
Dëshmitari për të pandehurin Sllagjan Trajkoviq tha se e kishte parë në kordonin që ishte formuar dhe i njëjti i kishte thënë ‘Prapë ti’.
“Personat që na kanë hy në shtëpi nuk i kam njohur, ndërsa në kordonin të cilin e shpjegova ka qenë një person, bashkëvendas i joni.,.. e kam ditur që është polic dhe e ka emrin Sllagjan’ – tha tutje dëshmitari Melenica.
Tutje, dëshmitari tha për të akuzuarin Trajkoviq se e kishte parë në kordon dhe i njëjti kishte qenë i armatosur.
“Ka qenë i njëjti person që i ka qëllu njerzit me atë ‘kroqen’, personi që i ka goditur personat në atë kordonin me ‘kroqe’ ka qenë i akuzuari Sllagjan Trajkovie, ka qenë me uniformë, e po ashtu ka qenë edhe i armatosur, e ka pasur të varur një kallashnikov” – tha dëshmitari Melenica.
Dëshmitari Melenica tha se në anën tjetër të kordonit kishte qenë edhe vëllai i të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq, por që emri tha se nuk i kujtohej.
Në pyetjen e avokatit Vasiq, se prej nga e kishte ditur se të njëjtit janë vëllezër. Dëshmitari tha se pas datës 22 maj 1999 ishte interesuar për të ditur se kush janë.
Pasi ishte përfundimi i orarit të punës, seanca u ndërpre. Seancat lidhur me këtë çështje penale janë caktuar për në muajin dhjetor.
Ky rast po trajtohet ne përbërje të trupit gjykues nga Ngadhnjim Arrni ( kryetar ) dhe anëtarët Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Salihu -Shamolli.
VAZHDON … KALLXO.COM