Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka njoftuar se do të shesë koleksionin e tij të jashtëzakonshëm të makinave, vlerësuar në qindra miliona dollarë. Koleksioni përfshin 69 makina historike, mes të cilave disa makina të shpallura kampione bote, si Ferrarit e drejtuara nga legjendat e Formula 1, Michael Schumacher dhe Niki Lauda. Ndër makinat më ikonike është Ferrari 375 F1 i Alberto Ascari, që triumfoi në Çmimin e Madh të Italisë, si dhe Brabham BT46B, e njohur si “makina me ventilator”, që fitoi një garë përpara se të ndalohej përfundimisht.
Ecclestone e mori këtë vendim pas një viti të vështirë. Në vitin 2023 ai pranoi fajësinë për mashtrim financiar, pasi nuk deklaroi më shumë se 400 milionë paund pasuri të fshehura në Singapor. Ai ra dakord të paguante 653 milionë paund tatime dhe u dënua me 17 muaj burg, dënim që u pezullua për dy vjet. “E dua çdo makinë të koleksionit tim, por ka ardhur koha të mendoj për të ardhmen e tyre nëse unë nuk do të jem më këtu”-deklaroi 94-vjeçari. “Dua të di ku do të përfundojnë dhe të mos e lë këtë barrë për gruan time”.