Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndërmjetësit arabë, po bëjnë përpjekje për të përmbyllur një marrëveshje mes Izraelit e Hamasit, për të ndërprerë luftën 14-mujore në Rripin e Gazës, ku mjekët thanë se sulmet izraelite vranë të paktën 16 palestinezë gjatë natës.
Burime të afërta me bisedimet në kryeqytetin egjiptian Kajro, thanë se një marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë ditëve të ardhshme për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtur në Gaza, në këmbim me të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli.
Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona në një shtëpi në qytezën veriore Beit Lahija, ku forcat ushtarake operojnë që nga tetori. 6 vetë gjetën vdekjen nga të tjera sulme ajrore në Qytetin e Gazës, në kampin Nuseirat në zonat qendrore, si dhe në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin. Ushtria izraelite nuk ka komentuar sulmet.
Administrata amerikane dhe ndërmjetës nga Egjipti e Katari, kanë bërë përpjekje intensive për të arritur përparim në bisedime, para se presidenti Joe Biden të largohet nga detyra muajin e ardhshëm. Një zyrtar palestinez i afërt me negociatat tha se ndërmjetësit i kanë ngushtuar dallimet për shumicën e pikave të marrëveshjes, por shtoi se Izraeli doli me kushte që Hamasi i hodhi poshtë. Ai nuk pranoi të japë hollësi.
Drejtori i CIAs, William Burns, sot do të bisedojë me kryeministrin e Katarit, sheikun Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të kapërcyer dallimet e mbetura mes Izraelit e Hamasit, siç treguan të tjera burime në dijeni të negociatave. CIA nuk ka pranuar të komentojë.
Negociatorët izraelitë dje shkuan në Doha, në përpjekje për të ngushtuar dallimet mes Izraelit e Hamasit rreth një marrëveshjeje që Biden e ka paraqitur në maj. Bisedime janë mbajtur vazhdimisht gjatë vitit, por të gjitha kanë dështuar. Izraeli synon të mbajë një prani ushtarake në Gaza ndërsa Hamasi refuzon të lirojë pengjet, derisa trupat izraelite të tërhiqen.
E nxitur nga një sulm i udhëhequr nga Hamasi ndaj komuniteteve në Izraelin jugor, i cili vrau rreth 1.200 persona dhe në kuadër të të cilët u rrëmbyen mbi 250 njerëz, lufta në Gaza ka tronditur Lindjen e Mesme duke e lënë Izraelin të izoluar në skenën ndërkombëtare.
Fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 45.000 palestinezë, ka zhvendosur shumicën e popullsisë 2.3 milion banorëshe, si dhe ka shndërruar në rrënoja pjesën më të madhe të enklavës.