Advertisement

Ligji ushtarak, presidenti i Koresë së Jugut përballet me shkarkim!

Partitë opozitare të Koresë së Jugut sot dorëzuan një mocion për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili po përballet me presion për të dhënë dorëheqje disa orë pasi përfundoi ligji jetëshkurtër ushtarak i shpallur prej tij. Mocioni, i dorëzuar bashkërisht nga forca kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe pesë subjekte të tjera më të vogla, mund të hidhet në votim jo më larg se të premten.

Këshilltarët e lartë dhe sekretariati i Yoon-it e kanë ofruar dorëheqjen kolektivisht. Ndërkohë edhe anëtarë të kabinetit të tij, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Kim Yong Hyun përballen me thirrje për dorëheqje.

Dje në mbrëmje, papritur Yoon shpalli ligjin ushtarak duke u zotuar t’i shfaroste forcat “antishtetërore”, pasi hasi në vështirësi për ta shtyrë përpara axhendën e tij në Parlamentin e mbizotëruar nga opozita. Por ligji ushtarak u zbatua për më pak se gjashtë orë, pasi Asambleja Kombëtare votoi për ta rrëzuar.

Partia Demokratike liberale në opozitë, që ka shumicën në Parlamentin me 300 vende, u shpreh:

Shpallja e ligjit ushtarak nga presidenti Yoon Suk Yeol ishte shkelje e qartë e Kushtetutës e nuk përmbushi asnjë nga kërkesat për shpalljen e tij. Po ashtu, qe një akt i rëndë rebelimi dhe ofroi baza të përsosura për shkarkimin e presidentit.

Për ta shkarkuar kryetarin e shtetit, nevojiten dy të tretat e votave në Parlament apo të 200 deputetëve. Partia Demokratike dhe forcat e vogla opozitare, së bashku kanë 192. Por kur Parlamenti e rrëzoi shpalljen e ligjit ushtarak nga Yoon, 18 ligjvënës nga partia e Yoon-it, Fuqia e Popullit, votuan pro rrëzimit.

Nëse Yoon shkarkohet, atij do t’i hiqet pushteti kushtetues deri kur Gjykata Kushtetuese të vendosë për fatin e tij. Kryeministri Han Duck-soo, numri dy në qeverinë e Koresë së Jugut do të marrë përsipër kompetencat presidenciale. Disa ekspertë thonë se qartazi, presidenti shkeli Kushtetutën me mënyrën si e shpalli ligjin ushtarak.

Ndërsa ligji ushtarak autorizon “masa speciale” për të kufizuar liritë individuale dhe autoritetin e agjencive ligjzbatuese e gjykatave, Kushtetuta nuk lejon që puna e Parlamentit të kufizohet.

Por dje duke e zbatuar vendimin e Yoon-it, ushtria shpalli pezullimin e aktiviteteve parlamentare dhe dërgoi trupa për të mos i lejuar deputetët të hynin në Asamblenë Kombëtare.