Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike në Kosovë”, pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.
Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se “incidenti serioz në Zubin Potok mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”. Diplomati kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se dënon fuqishëm sulmin që prek “komunitetet kudo në
I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t’i mbështesë autoritetet kosovare.
Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi “sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës”. Ai tha se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës” dhe se “ngjarja duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.
Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditët e fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.
Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.
Me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Ndërkaq, dje Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.