Advertisement

Opozita izraelite kërkon marrëveshje rajonale pas rrëzimit të Assad-it në Siri!

Pas rënies së regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad e raportimeve se ky i fundit është larguar nga vendi por nuk dihet se ku po qëndon, lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid bën thirrje për një aleancë të re rajonale.

Kjo duhet të përfshijë Arabinë Saudite si dhe vendet arabe që nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje të Abrahamit me Izraelin. Duhet që së bashku, të merremi me paqëndrueshmërinë rajonale. Armiku kryesor i Izraelit, Irani është dobësuar ndjeshëm e duhet të përpiqemi për një sukses gjithëpërfshirës diplomatik që po ashtu do të ndihmojë në Gaza e në Bregun Perëndimor.

Me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Izraeli firmosi një marrëveshje me Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në vitin 2020. Maroku e Sudani gjithashtu janë afruar më shumë me Izraelin. Përpjekjet për afrim të mëtejshëm mes Izraelit dhe Arabisë Saudite u bllokuan pas sulmit terrorist të grupit militant palestinez Hamas më 7 tetor 2023 e luftën që pasoi në Gaza.

Ekspertët thonë se rënia e regjimit të Assad-it paraqet humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, që bashkë me Teheranin kanë mbështetur qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011-ën. Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, pati deklaruar se “forcat e regjimit të Assadit kanë rënë dhe mbështetësit e Assad-it duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë”.

Rusia ka disa objekte ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim e një tjetër strategjike detare në Tartus, që janë përdorur edhe për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke u shprehur se “nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë”.

Instituti për Studimin e Luftës deklaroi se Moska ende nuk është evakuar nga baza, “por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, me rebelët sirianë që përparuan me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi”. Një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po monitoron nga afër situatën në Siri.