Advertisement

Paralajmërimi i NATO-s për Rusinë: Po përgatitet për luftë afatgjatë me Ukrainën dhe Europën!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron ta “fshijë Ukrainën nga harta” dhe i bëri thirrje aleancës “të kalojë në një mendësi të kohës së luftës e të rrisë prodhimin, si dhe shpenzimet në fushën e mbrojtjes”.

Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë, me Ukrainën dhe me ne. Europianët duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përdorë “ushtri dronësh” në kontinent. Putin po përpiqet të godasë lirinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ne nuk jemi gati për atë që do të na vijë pas katër deri në pesë vjet.

Ish-kryeministri holandez paralajmëroi se shtetet e NATO-s mund të kenë nevojë të shpenzojnë më shumë se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fushën e mbrojtjes. Nga vendet e saj anëtare, NATO po kërkon që të shpenzojnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje.

Gjatë Luftës së Ftohtë, europianët shpenzuan më shumë se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një nivel i kërkuar edhe nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për vendet anëtare të Aleancës.

Vetëm 23 nga 32 anëtarët e NATO-s pritet të përmbushin objektivin prej 2% këtë vit, sipas zyrtarëve të aleancës. Po ashtu, lideri i NATO-s iu bëri thirrje qeverive të vendeve anëtare të aleancës, që të rrisin buxhetet e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se Rusia ndoshta do të shpenzojë deri në 7% ose 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen vitin e ardhshëm.

Tani, Rusia është e angazhuar në një fushatë të koordinuar për të destabilizuar shoqëritë tona.

Rutte përmendi “veprimet e fundit armiqësore” që Moska ka ndërmarrë kundër anëtarëve të NATO-s, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe tentativat për vrasje.

Rreziku po lëviz drejt nesh me shpejtësi të madhe. Ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur të përballemi me këtë rrezik.