Kompania e ujësjellësit e rajonit të Mitrovicës, KRU Mitrovica, njoftoi se sot do të zbatojë reduktime në furnizimin me ujë për konsumatorët e saj në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri e Skënderaj, si rezultat i pasojave që shkaktuan dëmet nga sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit javën e kaluar, më 29 nëntor.
Banorët e qytetit të Mitrovicës së Jugut do të përballen me mungesë uji nga ora 18:00 deri në orën 06:00, ndërsa fshatrat e kësaj komune nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
Banorët e qytetit të Vushtrrisë nuk do të furnizohen me ujë nga ora 18:00 deri në orën 06:00, ndërsa fshatrat e kësaj komune nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
Në Skenderaj reduktime do të ketë nga ora 18:00 deri në orën 06:00 për banorët e qytetit, ndërsa nga ora 09:00 deri në orën 18:00 për banorët e fshatrave të komunës.
Kompania nuk tregoi se sa do të zgjasin reduktimet e ujit, të cilat vijnë si pasojë e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veriun me shumicë serbe e autoritetet kosovare e drejtuan gishtin e akuzës për nga shteti fqinj Serbia. Ndërkaq, Beogradi zyrtar i ka mohuar akuzat.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethina, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Me qëllim të furnizimit sa më të mirë për të gjithë konsumatorët tanë, ju lusim që ujin ta konsumoni në mënyrë sa më racionale sidomos në situatën në të cilën ndodhemi, tha KRU Mitrovica.
Po ashtu iu bëri thirrje konsumatorëve të mos e përdorin ujin për pije. KRU Mitrovica funksionin si ndërmarrje publike dhe furnizon me ujë komuna si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut e pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skënderajn, sipas informacioneve në faqen zyrtare të kompanisë.
Në rrjetin e kompanisë janë të regjistruar mbi 100 mijë banorë nga këto rajone. Këto tri komuna ishin përballur me reduktime edhe menjëherë pas sulmit të 29 nëntorit e që është dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.