Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se po kryen operacione në Kosovë lidhur me hetimet për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë. Më herët, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) tha se u arrestuan tre persona, mes tyre ish-shefi i Agjencisë së Inteligjencës, AKI, Bashkim Smakaj e ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë, shkroi në Facebook.
ZPS-ja deklaroi se nga ana gjyqësore, operacionet e saj “u autorizuan prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe u mbështetën nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Operacionet janë duke u kryer në lidhje me dyshimet për pengimin e drejtësisë.
Bashkim Smakaj e drejtoi AKI-në nga viti 2009 deri më 2015-ën kur pati dhënë dorëheqje, pak pasi u emërua për një mandat të dytë. Ndërkohë, Isni Kilaj, për herë të parë u arrestua në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimet për vepra penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë, si dhe u lirua me kusht në maj të këtij viti pasi pagoi 30 mijë euro garanci.
Në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ndryshoi aktakuzën ndaj Kilajt, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra. SPO-ja shprehej se ndër arsyet e lirimit të Kilajt me kusht ishte vendimi i prokurorëve për të paraqitur aktakuzë të ndryshuar ndaj tij.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në dhënien e drejtësisë. Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar deri tani për këtë vepër penale.
Ndërkohë, Specialja dha edhe dy vendime për krime lufte. Ish-drejtuesi i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 22 vjet burg për krime lufte ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala, me 18 vjet heqje lirie për ndalim arbitrar, torturë e vrasje. Në Dhomat e Specializuara, po ashtu po zhvillohet procesi ndaj ish-shefave të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë vetëdeklaruar “të pafajshëm”.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe e ka selinë në Hagë. Dhomat dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike e rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor 2000.