Policia e Vlorës njofton se ka arrestuar një 51-vjeçar, i akuzuar se pas një konflikti të dobët, mbrëmë plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas 41-vjeç, në lagjen “15 Tetori”. Uniformat blu njoftojnë se autori i plagosjes u gjet pas disa orësh kërkime, i fshehur në banesën e pabanuar të vëllait të tij, në lagjen “Partizani” të Vlorës. I plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve. Vijojnë kontrollet për gjetjen e mjetit prerës (thikë) me të cilin është kryer plagosja.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, ku u plagos me mjet prerës, një shtetas, organizuan punën duke ushtruar kontrolle për kapjen e autorit. Si rezultat, pas disa orësh kërkime, u gjet në banesën e vëllait të tij (aktualisht e pabanuar), në lagjen “Partizani”, dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A.R. alias Gj.M., 51 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 01.12.2024, rreth orës 20:27, në lagjen “15 Tetori”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin Xh.K., 41 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për gjetjen e mjetit prerës (thikë) me të cilin është kryer plagosja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.