Në Siri, raportohet se rebelët kanë përparuar drejt qendrës së qytetit të Homsit ndërsa Rusia, Irani e Turqia po përgatiten që të takohen për të diskutuar sfidën më serioze me të cilën është përballur vitet e fundit sundimi autoritar i presidentit Bashar al-Assad. Forcat qeveritare dhe aleatët rusë kanë vazhduar përpjekjet për të ndalur ofensivën e rebelëve drejt Homsit, që gjendet në një udhëkryq strategjik mes Damaskut e provincave bregdetare, Latakia dhe Tartus.
Me trupa që mbështesin forcat e Assad-it, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore përreth Homsit, në një përpjekje të dukshme për të ndalur përparimin e rebelëve, siç raporton Al-Arabiya, media në pronësi saudite. Edhe ushtria siriane ka dërguar përforcime në Homs, referuar Al-Arabiya/s e Al-Jazeera/s.
Homsi është provinca me territorin më të madh në Siri e gjendet pranë kufirit me Libanin, Irakun dhe Jordaninë. Po ashtu, qyteti është baza e njërës prej dy rafinerive shtetërore të naftës. Ofensiva befasuese e rebelëve nisi javën e kaluar nga një koalicion i grupeve që udhëhiqet nga fraksioni islamist, Hayat Tahrir al-Sham apo HTS, e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të milicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin pa dakordësinë turke.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani e që monitoron luftën, tha se civilët po ikin nga Homsi drejt rajoneve bregdetare në Mesme, në Latakia e Tartus, bastione të qeverisë dhe vende ku gjenden baza ajrore e detare e Rusisë.
Dje, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion mund të detyrohen të zhvendosen pasi rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assad-it e aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.
Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata siguruan edhe një tjetër qytet të madh e forcat e Assad-it bënë pak rezistencë. Lideri i HTS-së, Abu Mohammad al-Golani, i tha CNN-it se “qeveria e Assad-it që mbështetet nga Rusia dhe Irani do të bjerë”.
Farat e humbjes së regjimit kanë qenë gjithmonë brenda tij. E vërteta është se ky regjim ka vdekur.
Diplomatë nga Irani, Rusia dhe Turqia takohen sot për të diskutuar krizën.