Advertisement

Rihapet katedralja ikonike Notre Dame, liderë botërorë në Paris/Detaje nga ceremonia!

Katedralja e Parisit, Notre-Dame inaugurohet sot pas 5 vitesh rindërtim e restaurim për dëmet e shkaktuara nga zjarri shkatërrues i prillit 2019. Hapja e katedrales do të bëhet në mot të pafavorshëm, ndaj festimet janë zhvendosur brenda kishës. Rihapja është kthyer në ngjarje me shtrirje ndërkombëtare, duke përfshirë diplomacinë, muzikën, kinemanë, në një Paris të blinduar nga masat e sigurisë. Një program shumë intensiv në një kohë të errët për presidentin Emmanuel Macron. Pas rënies së qeverisë Barnier, shefi i Elizesë përballet me urgjencën e emërimit të një kryeministri të ri.

Katedralja ikonike e Parisit është objekt 861-vjeçar. Restaurimi u konsiderua “arritje e jashtëzakonshme në pesë vjet për strukturën që iu deshën pothuajse dy shekuj që të ndërtohej”, një triumf për Macron-in, i cili shtyu përpara projektin, pavarësisht krizave të brendshme politike.

Kjo ceremoni mbledh liderë botërorë, të tjerë të ftuar e besimtarë, një moment i rrallë i unitetit në kohën kur bota po përballet me ndarje e konflikte. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden, Princi William e dhjetëra drejtues shtetesh e qeverish, si edhe 1 mijë e 500 të ftuar, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame-it nën harkun gotik të ndërtesës. Ceremonia do të drejtohet nga kryepeshkopi Laurent Ulrich.

Fillimisht, pritej të zhvillohej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme, autoritetet franceze vendosën të mbahet brenda Notre Dame-it. Për kreun e katedrales, Olivier Ribadeau Dumas, është “më shumë se një monument francez”, “një trashëgimi e kulturës botërore”.

Katedralja është një simbol i jashtëzakonshëm i unitetit. Një shenjë e shpresës sepse ajo që dukej e pamundur është bërë e mundur.

Sot ka një përzierje të traditave solemne fetare me ato kulturore. Ndërkaq, në mbrëmje do të ketë një koncert brenda katedrales për të nderuar ata që punuan për rindërtimin e saj. Pothuajse 170 peshkopë nga Franca e të huaj, së bashku me priftërinj të 133 famullive të dioqezës së Parisit do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes.

Rihapja e Notre Dame-it po ndodh në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindjen e Mesme ndaj dhe për të krishterët e udhëheqësit e Notre Dame-it, ceremonia e rihapjes përçon simbolin e unitetit e të shpresës.