Teksa ndodhej në Sao Paulo, Brazil modelja e Victoria’s Secret, Luciana Curtis bashkë me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre më të vogël, mbaruan së ngrëni, u larguan nga restoranti dhe filluan të ecnin në rrugën e një zone të dendur të populluar. Papritur para tyre u shfaq një bandë dhe i futi në një makinë nën kërcënimin e armëve. Ata i çuan në një kasolle, ku kaluan natën.
Siç shkruan gazeta gjermane Bild, Curtis është braziliane edhe pse prej shumë vitesh jeton në Nju Jork me bashkëshortin e saj, fotografin Henrique Gendre dhe dy fëmijët e tyre. Ajo ka pozuar për shtëpitë e famshme të modës si “Victoria’s Secret” por edhe për “H&M” dhe “Harrods”. Ajo bashkë me bashkëshortin dhe vajzën e saj po shëtisnin në zonën e banimit të Alto da Lapa në Sao Paulo kur u rrëmbyen papritur nga një bandë në një lagje të varfër braziliane.
Gangsterët e futën familjen në një makinë nën kërcënimin e armëve dhe i çuan në një kasolle në Brasilia, 10 milje larg. Lagjet e varfra në Brazil kontrollohen nga bandat e drogës. Curtis dhe familja e saj u mbajtën robër gjatë natës në një kasolle prej druri. Anëtarët e bandës shantazhuan çiftin duke kërkuar një shpërblim për lirimin e tyre. Familja e brazilianes ka transferuar shumën prej 31 mijë eurosh te rrëmbyesit.
Pasi rrëmbyesit kanë futur paratë në xhep, kanë vjedhur edhe makinën e familjes. Më pas ata i liruan pengjet. Luçiana, bashkëshorti i saj dhe fëmija i tyre 11-vjeçar u larguan. Autoritetet braziliane nisën një kërkim për turistët e zhdukur pasi u ngrit alarmi për zhdukjen e tyre. Një zëdhënës i Luciana konfirmoi se familja e saj tani është e sigurt. Ajo nuk është në gjendje shumë të mirë psikologjike, pasi rrëmbimi i tyre mund të përfundonte keq.
Luciana Curtis ka lindur në Sao Paulo nga një baba biznesmen britanik dhe një nënë mësuese braziliane. Karriera e saj filloi kur u zbulua si adoleshente në një qendër tregtare dhe në vitin 1993 fitoi finalen braziliane të konkursit “Supermodel of the World”. Pak muaj më vonë ajo ishte në kopertinën e revistave si Glamour, Cosmopolitan dhe Marie Claire, ndërsa bashkëpunoi me kompani të njohura si Victoria’s Secret, Harrods dhe H&M. Në vitin 2001 ajo mori pjesë në fushatat për Revlon dhe L’Oreal, duke fituar miliona dollarë. Luciana jeton në Nju Jork, pasi ka kaluar disa vite në Londër. Së fundmi ajo u shfaq në kopertinën e ELLE Brazil, e cila e cilësoi atë si një nga supermodelet braziliane që dominoi pasarelat e botës nga vitet 1990 deri në ditët e sotme.