Protestat kundër politikanit pro-rus, Călin Georgescu, u përhapën jashtë Bukureshtit në qytete të tjera të Rumanisë më 26 nëntor, pas fitores së tij të papritur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë fundjavës.
Protesta kundër Georgescut u zhvilluan në mbrëmjen e 26 nëntorit në Bukuresht, Timișoara, Iași, Brașov dhe Sibiu.
Georgescu do të përballet në balotazh me kandidaten pro-perëndimore të qendrës së djathtë, Elena Lasconi, më 8 dhjetor, pasi fitoi 22.94 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s.
Rreth 1.000 persona morën pjesë në protestën e dytë kundër Georgescut në Sheshin e Universitetit të Bukureshtit.
Shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj, të cilët shprehën shqetësimin për qëndrimet radikale të Georgescut dhe për të ardhmen e vendit të tyre.
“Jam këtu sepse për momentin demokracia jonë është në një situatë të pasigurt dhe besoj se ne, brezi i ri, mund ta parandalojmë një katastrofë të mundshme në rundin e dytë”, tha një student nga Bukureshti, i cili refuzoi të identifikohej.
Një tjetër protestuese shprehu demoralizimin e saj që shumë njerëz nuk u informuan për Georgescun para zgjedhjeve. “Nuk mund të pranoj që unë ose fëmijët e mi të ardhshëm të drejtohemi nga një fashist,” tha ajo, gjithashtu pa pranuar të jepte emrin e saj. Ajo theksoi se rumunët duhet të ndjekin rrugën e demokracisë dhe besonte se ende ka mundësi për këtë në zgjedhjet parlamentare më 1 dhjetor dhe në balotazhin presidencial më 8 dhjetor.
“Nëse kthehemi 35 vjet pas dhe shohim atë që kaluan prindërit dhe gjyshërit tanë… dezinformimin masiv që përjetuan gjatë periudhës së diktatorit Nicolae Ceaușescu, le të informohemi para se të zgjedhim. Duhet të shkojmë masivisht në votim. Ne të rinjtë kemi një zë dhe duhet ta përdorim atë,” shtoi ajo.
Në Timișoara, të rinjtë thërrisnin “Sot në Timișoara, nesër në të gjithë vendin”, duke iu referuar revolucionit të dhjetorit të vitit 1989 që nisi pikërisht në këtë qytet.
Protesta të ngjashme u mbajtën më 26 nëntor në Iași dhe Brașov, ku disa dhjetëra të rinj u mblodhën.
Protestuesit në Iași theksuan se nuk dëshironin të drejtoheshin nga një diktator apo nga një simpatizant i liderëve fashistë dhe anti-semitë të Rumanisë së viteve 1930-1940.
Georgescu, 62 vjeç, ka mohuar akuzat se është ekstremist apo fashist dhe ka deklaruar se e sheh veten si “një rumun që do të vendin e tij”.
Ai kishte mbështetje të ulët në sondazhe para se të nisë një fushatë virale në TikTok, e cila kërkonte të ndalohej ndihma për Ukrainën. Kandidati i pavarur ka theksuar se “nuk ka Lindje apo Perëndim” dhe ka deklaruar se neutraliteti është “absolutisht i domosdoshëm”.