Advertisement

Siguria dhe mbrojtja, në Bruksel firmoset marrëveshja Shqipëri-BE!

Marrëveshja e Partneritetit Shqipëri-Bashkimi Europian për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, sot u nënshkrua në Bruksel nga ministrat për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen, Igli Hasani e Pirro Vëngu, në prani të kryeministrit Edi Rama. Ky partneritet strategjik pritet të forcojë përpjekjet për të luftuar kërcënimet hibride e kibernetike, ekstremizmin dhe të rrisë aftësitë e sigurisë e të mbrojtjes. Në X, ministri Hasani shkroi:

Në Bruksel sot ne nënshkruam Marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes. Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin e do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më elastike.

Në fjalën pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rama u shpreh se lidhja e Shqipërisë me BE-në është e pandashme.

Është për ne një ditë e gjatë dhe e rëndësishme. Ne jemi zgjuar me një ndjesi të këndshme sepse kemi hapur një tjetër grup kapitujsh. Është moment shumë i mirë. Ndihemi të privilegjuar, kemi kaluar rrugë të gjatë. Kjo marrëveshje është e rëndësishme, lidhja jonë është e pandashme, duhet ta forcojmë çdo ditë e më shumë. Shpreh falenderimet e mia për BE-në, që po shtyn përpara këtë agjendë.