Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas takimit trepalësh në Pallatin Élysée në Francë, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron dhe ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Në një postim në rrjetin social “X”, Zelensky e cilësoi takimin si të “frytshëm dhe konstruktiv”, duke theksuar se biseda ishte e fokusuar në situatën e Ukrainës dhe mundësitë për të arritur një paqe të drejtë.
“Presidenti Trump, si gjithmonë, ishte i vendosur dhe i angazhuar për të mbështetur kauzën tonë. E falënderoj për këtë. Po ashtu, jam mirënjohës Emmanuelit për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm dhe për përkushtimin e tij në përpjekjet për paqe”, shkroi ai.
Zelensky shtoi se gjatë takimit ata diskutuan për gjendjen aktuale të luftës dhe nevojën për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë për popullin ukrainas.
“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të drejtë. Biseduam për njerëzit tanë, për situatën në terren dhe për mundësitë për të arritur një paqe të vërtetë”, shkroi presidenti ukrainas.
Zelensky gjithashtu theksoi se ata ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe të qëndrojnë në kontakt për të mundësuar një zgjidhje paqësore.
“Paqja përmes forcës është e mundur”, përfundoi Zelensky, duke theksuar angazhimin e tij për të luftuar deri në fund për një Ukrainë të lirë dhe të pavarur.