Advertisement

Zgjedhjet presidenciale në Rumani, rezultat i paqartë!

Kandidati prorus, Cailn Georgescu, po prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas rezultateve paraprake, duke bërë që rezultati të ndryshojë dhe hapet mundësia për një përballje në balotazh me Elena Lasconin. Me 99.5% të votave të numëruara, Georgescu, i kritikuar për shkak të qëndrimeve kundër NATO-s, po udhëheq me 22.94% të votave.

Elena Lasconi nga Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë e qendrës së djathtë doli e dyta me 16.9% ndërsa kandidati properëndimor, kryeministri socialdemokrat, Marcel Ciolacu është i treti. Gara shfaqet e ngushtë. Më pas, referuar rezultateve, i katërti doli George Simion nga Aleanca ultranacionaliste për Unitetin e Rumunëve, me 13.93%.

Ekspertët thanë se rezultatet nga qytetet e mëdha ku Ciolacu dhe Lasconi, me gjasa do të dalin më mirë se Georgescu, mund të ndryshojnë renditjen në këtë garë të ngushtë. Dy sondazhe parashikuan që Ciolacu të fitonte 25% të votave e Lasconi të dilte e dyta me rreth 18%. Në garën presidenciale garuan 13 kandidatë. Dy sondazhet nuk kanë përfshirë votat nga diaspora ku Lasconi dhe Simion do të prijnë.

Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, ekstremi i djathtë duket se është fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton mbi 50% të votave, më 8 dhjetor mbahet balotazhi mes dy kandidatëve me më shumë vota. Ky raund do të zhvillohej vetëm një javë pasi Rumania të mbajë zgjedhjet parlamentare, më 1 dhjetor.

Ciolacu ishte kandidati favorit para mbajtjes së zgjedhjeve dhe sondazhet para votimeve thanë se pesë kandidatë kanë shanse të avancojnë në raundin e balotazhit për të zëvendësuar presidentin në largim të qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, i cili përfundon mandatin e dytë e të fundit si president. Katërmbëdhjetë kandidatë u regjistruan për garën presidenciale, por Ludovic Orban njoftoi tërheqjen.

Pjesëmarrja ishte mbi 52% apo rreth 9.44 milion votues. Dalja ishte më e lartë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, kur rezultoi 51.18%. Georgescu, 62-vjeç është kritikuar nga mediat në Rumani për shprehjen e qëndrimeve proruse.

Pas publikimit të sondazheve, përmes një deklarate, Lasconi tha do të përballet në balotazh me Georgescun. Ish-kryetare bashkie e një qyteti të vogël dhe gazetare, ishte kandidatja e vetme që ka kundërshtuar idenë që Ukraina t’i japë territor Rusisë në një marrëveshje paqeje, duke thënë se nëse Kievi do të vepronte kështu, kjo vetëm do ta favorizonte presidentin rus, Vladimir Putin.

Nëse Ukraina jep territor, Putin nuk do të ndalet. Ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën që ta fitojë këtë luftë.

Politika e jashtme ka qenë shqetësim për votuesit, kryesisht për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ky konflikt mund të ndryshojë për shkak të ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara. Rumania është bërë një aleate e rëndësishme e Ukrainës, duke ofruar jo vetëm trajnime e pajisje ushtarake por edhe transportin e drithërave ukrainase në tregjet ndërkombëtare. Ky qëndrim proukrainas i Bukureshtit kryesisht i atribuohet presidentit aktual Iohannis.