Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndeti vendimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për të anuluar vendimin lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
Ne vazhdojmë të presim që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit.
Uashingtoni po ndjek me shqetësim të thellë situatën në Korenë e Jugut.
Më herët, zyrtarët amerikanë thanë se po ndjekin “me shqetësim të thellë” situatën në Korenë e Jugut, ku fillimisht presidenti Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke përmendur nevojën për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut e për të eliminuar elementët anti-shtetërorë.
Disa orë më vonë, Yoon hoqi gjendjen e jashtëzakonshme pasi ligjvënësit e Koresë së Jugut votuan kundër vendimit të tij dhe protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit. Të befasuar, zyrtarët amerikanë po angazhohen në mënyrë aktive me homologët koreano-jugorë në Uashington e Seul, duke mbledhur fakte dhe vlerësuar situatën në terren.
Ne nuk u njoftuam paraprakisht për vendimin e presidentit Yoon, tha në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
“Nuk kam asnjë vlerësim mbi kërcënimin nga Koreja e Veriut në kontekstin e kësaj situate”, u shpreh Patel për Zërin e Amerikës kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë informacion për kërcënime specifike në 24 orët e fundit nga Koreja e Veriut.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Seul njoftoi anulimin e takimeve të zakonshme konsullore me qytetarët amerikanë dhe aplikantët për viza, të planifikuara për sot. Gjithashtu, qytetarëve amerikanë në Korenë e Jugut, selia diplomatike iu kërkoi që të ndjekin lajmet lokale, udhëzimet zyrtare, të shmangin zonat ku po zhvillohen protesta e të kenë kujdes pranë tubimeve të mëdha ose protestave, sepse edhe protestat paqësore mund të përshkallëzohen në mënyrë të papritur.
Në Pentagon, zëdhënësi Patrick Ryder iu tha gazetarëve gjatë një konference për shtyp se ai nuk besonte se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ndikonte ndjeshëm në rreth 28,500 trupat amerikane të dislokuara në Korenë e Jugut. Ryder shtoi se ushtritë e dy vendeve aleate janë “në kontakt”, por nuk ka patur asnjë kërkesë për ndihmë nga Seuli.