Deputetët iranianë kërkuan ndryshimin e një projektligji që parashikon ndëshkime më të ashpra ndaj grave që refuzojnë të mbajnë me detyrim shaminë e kokës apo hixhabin, siç raportuan sot mediat iraniane. I miratuar në Parlament, por ende i padërguar në qeveri për konfirmim përfundimtar, drafi ka nxitur debat të nxehtë në Iran, më shumë se dy vjet pas shpërthimit të protestave mbarëkombëtare, pjesërisht për shkak të kodit të rreptë të veshjes për gratë në Republikën Islamike.
Shahram Dabiri, nënkryetar për çështje parlamentare i Iranit, kërkoi të shtyhet dërgimi i projektligjit për miratim final, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.
Kemi kërkuar që ligji për pastërtinë dhe hixhabin të mos i shkojë qeverisë. Kryetari i Parlamentit ka kërkuar një ndryshim të projektligjit.
Dabiri nuk ka specifikuar natyrën e ndryshimit e as nuk ka dhënë një afat për procesin. Ligjvënësit në shtatorin e 2023-tës miratuan projektligjin e quajtur zyrtarisht “Ligji për Mbështetjen e Familjes përmes Promovimit të Kulturës së Pastërtisë dhe Hixhabit”.
Që atëherë ka marrë OK-ein e Këshillit të Gardës, organizëm me kompetenca për shqyrtim ligjesh. Fillimisht, drafti pritej t’i dërgohej presidentit Masoud Pezeshkian këtë muaj. Pezeshkian, i cili mund ta nënshkruajë dhe ta bëjë ligj ka shprehur “rezerva” për tekstin, duke përmendur “paqartësi” të shumta.
Projektligji me 74 nene ashpërson kufizimet ndaj veshjes publike të grave, si dhe kërcënon me masa kundër bizneseve që nuk e zbatojnë kodin e veshjes, referuar përmbajtjes që e kanë publikuar mediat iraniane.
Po ashtu, përfshin ndëshkime të ashpra me burgim deri në 10 vjet apo gjoba me vlerë mbi 6 mijë dollarë për promovimin e “lakuriqësisë” apo “paturpësisë”.
Që nga vitet e hershme të republikës, pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, gratë në Iran janë detyruar me ligj që të mbulojnë kokën dhe qafën. Në fund të vitit 2022, një valë protestash shpërthyen pas vdekjes së iraniano-kurdes 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar e mbahej nga policia për “shkelje të kodit islamik të veshjes”.
Gjatë trazirave që zgjatën me muaj, qindra njerëz, përfshirë dhjetëra pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë, u vranë. Mijëra demonstrues u arrestuan.