Për Radion Evropa e Lirë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi se pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29 nëntor, institucionet e Kosovës kërkuan autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.
Komandanti i KFOR-it nuk dha një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i.
Kosova e drejtoi këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës e NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veriun me shumicë serbe, pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Siç është komunikuar në deklaratën tonë, KFOR-i ka vendosur njësitë për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. Po ashtu, KFOR-i ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
Misioni shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë e se po e mban situatën nën vëzhgim. Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon.
Dje në mbrëmje, gjatë një konference për shtyp, kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri por theksoi:
Ne jemi të kufizuar në veri duke qenë se ushtria jonë, bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të shkojë në veri. Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë.
Kurti shtoi se edhe pse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në veri, ai do ta respektojë.
A do të ishte më mirë dhe më e sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi.
Më herët gjatë ditës së djeshme, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se Kurti ia ka bërë kërkesën NATO-s. Shpërthimi në kanalin në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut me shumicë serbe, nuk shkaktoi viktima por krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhje të ujit jashtë kanalit e duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenc, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, si dhe rajonet e Mitrovicës e Prishtina me rrethinat, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.