Advertisement

Më 17 dhjetor, raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi!

Bashkimi Europian konfirmon se më 17 dhjetor mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh. Palët konfirmuan pjesëmarrjen. Prishtina përfaqësohet nga zv.kryeministri, Besnik Bislimi ndërsa Beogradi nga shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Zëdhënësja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Anitta Hipper,  bëri të ditur se në këtë takim do të shqyrtohen disa çështje, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Takimi më i fundit në nivel kryenegociatorësh u mbajt më 23 tetor në Bruksel.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, i dërguari europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak iu raportoi vendeve anëtare lidhur me gjendjen e bisedimeve e tha se palët kanë mungesë të qartë të gatishmërisë për të bërë ndonjë progres në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin.

Në shkurt të vitit të kaluar, palët kanë arritur pajtim në Bruksel mbi këtë marrëveshje, si edhe për një aneks zbatimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë. Dy vendet nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të paktit e për këtë fajësojnë njëra-tjetrën.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas shprehu gatishmëri që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut. Mandati i Lajçak-ut, i shtyrë disa herë, pritet që të përfundojë në fund të muajit janar, të vitit tjetër, pra 2025.

Pritet që në bashkëpunim me vendet anëtare të Unionit, kryediplomatja Kallas, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë dhe rreth asaj nëse do të ketë pasardhës të Lajçak-ut në atë post e se kush do të jetë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008-ën.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, që prej vitit 2011. Janë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha u zbatuan.