Advertisement

NATO jep miratimin, mbrojtja e infrastrukturës së Ukrainës është përparësi!

Vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për ta bërë prioritet të lartë mbrojtjen e infrastrukturës së Ukrainës, siç njoftoi sot shefi i aleancës ushtarake, Mark Rutte ndërsa Rusia po vijon të bombardojë pa u ndalur qytetet dhe qytezat ukrainase me raketa e dronë.

Duke folur për gazetarët para fillimit të ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të 32 vendeve anëtare të NATO-s, Rutte informoi se është biseduar për t’i dhënë “Ukrainës sisteme të mjaftueshme për mbrojtje ajrore, në mënyrë që ta mbrojë infrastrukturën e saj nga sulmet ruse”.

Mbrëmë pati dakordësi të qartë se mbështetja e Ukrainës, në veçanti për infrastrukturën e saj duhet që të jetë një prioritet. Besoj se aleatët do të sigurohen në ditët e në javët në vazhdim se do ta furnizojnë Ukrainën.

Ky është dimri i tretë radhazi që Rusia po sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës e për pasojë ka shkaktuar viktima, si dhe ka penguar furnizimin me energji elektrike për mijëra civilë.

Mëngjesin e sotëm, dronë rusë sulmuan rajonin verior të Çernihivit, duke dëmtuar disa shtëpi në një fshat, siç dhe informoi guvernatori rajonal Vyacheslav Chaus në një postim në Telegram.

Po ashtu, në rajonin qendror të Vinnytsya-s, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një shtëpi në distriktin Haisin, duke e shkatërruar pjesërisht atë. Kjo u bë e ditur nga Shërbimi i Emergjencave të Ukrainës.

Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi se Rusia përdori një raketë e 50 dronë për të goditur objektivat në Ukrainë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës arriti të rrëzonte 29 dronë në nëntë rajone: Kiev, Harkiv, Poltava, Sumi, Çernihiv, Hmelnitski, Ternopil, Mikolaiv e Donjeck, referuar njoftimeve më të fundit nga terreni.

Ndërkohë, shpërthime të fuqishme u raportuan gjatë natës në portin rus të Detit të Zi, Novorossiisk, i cili është ndër qendrat kryesore për eksportet ruse të naftës, si dhe një port i rëndësishëm ushtarak për një pjesë të flotës ruse të Detit të Zi. Sirenat ajrore u lëshuan në këtë pjesë dhe kryebashkiaku i Novorosisk-ut, Andrei Kravchenko, iu bëri thirrje banorëve që të strehohen për shkak të një sulmi me dronë. As Ukraina e as Rusia ende nuk kanë komentuar në lidhje me shpërthimet.