Advertisement

Pse Bleona Qereti ka hequr këngët nga platforma “YouTube”?

Bleona Qereti ka folur për vendimin e saj për të hequr këngët nga platformat si YouTube në një intervistë të fundit.

Ajo ka shpjeguar arsyen pas këtij hapi të papritur, duke theksuar se ishte një reagim ndaj fenomenit të numrave të rremë që po mbizotëronin në industrinë e muzikës.

Mos u habisni për fshirjen e këngëve të mia nga interneti. I kam hequr edhe këngën ‘Mandarinë’, që ka mbi 70 milion shikime, një rekord i arritur që në vitin 2013. Por këto këngë do t’i kthej sërish në versionin më të mirë të mundshëm

Bleona theksoi se vendimi për të fshirë këngët lidhet me një qëndrim ndaj rrymës që po dominohej nga numrat artificialë dhe klikimet e blera.

Në momentin që industria muzikore ka filluar të ndjekë klikimet dhe numrat e rremë, unë vendosa të heq ato shifra të falsifikuara. Në një mënyrë, kam fshirë historinë time si artiste për t’i dhënë një mundësi vetes që të kthehem në versionin më autentik dhe të pasur të artit tim.

Ajo theksoi se ky hap kishte një domethënie më të thellë se sa thjesht një veprim teknik.

Nëse do t’i bëja gjërat me frikë dhe dyshim, nuk do të arrija asgjë. Ky është vendimi im për të ruajtur integritetin dhe për të qëndruar besnik ndaj vetes. Shumë artistë besojnë në gënjeshtrat që krijojnë për veten e tyre dhe mendojnë se fama e tyre matet nga numrat e rremë në Instagram, por unë jam Bleona dhe besoj te vetja ime

Për Bleonën, suksesi dhe fama nuk janë thjesht numra apo ndjekës të blerë, por arritjet e vërteta dhe ndikimi që një artist lë pas.

Ndërkohë që shumë shqetësohen për numrat fals të ndjekësve, unë kam shqetësime të tjera, më të rëndësishme – si numrat e vërtetë në llogarinë time bankare

– tha ajo, duke aluduar se vlera e një artisti matet më shumë nga impakti dhe arritjet e tij sesa nga shifrat që mund të jenë manipuluar.