Advertisement

Sveçla: Pjesëtarë të Listës Serbe, të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri!

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha sot se beteja e vazhdueshme e autoriteteve për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit ka demaskuar aspiratat e Serbisë për territorin e Kosovës. Sipas tij, pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, janë përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri.

Mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në pjesën veriore në të kaluarën, ka mundësuar terren plotësisht të lirë për grupet kriminale dhe çdolloj aktiviteti ilegal.

Ministri Sveçla reagoi pas prezantimit të një raporti për sigurinë në veri, pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në nëntor 2024. Kosova fajëson Serbinë për këto sulme që i konsideron terroriste, ndërsa Beogradi mohon gjithçka.

Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati.

Në maj 2023, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të plagosur mbi 90 paqeruajtës të misionit, disa të plagosur rëndë. Sveçla tha se “integrimi i strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit, ka mundësuar instalim të strukturave që i kanë raportuar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç”.

Kjo faktohet jo vetëm me dorëheqjen e orkestruar të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës dy vjet më parë, të cilët me uniformë policore, me pagë të Policisë së Kosovës, dhe me armë zyrtarë të policisë u kanë shërbyer politikave destabiluzuese të Serbisë.

Ai iu referua dorëheqjeve kolektive të pjesëtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, në nëntor 2022, si shenjë pakënaqësie me vendimet e qeverisë së Kosovës në veri. Sveçla shtoi se po punohet vazhdimisht në rritjen e efikasitetit të policisë në reagim, pasi sfidat në veri janë të mëdha.

Ne asnjëherë nuk do të themi se ja kemi dalë, se nuk do të ketë sulme të reja, për aq kohë sa kemi përpara një Serbi jodemokratike, kemi një Serbi paramilitare e qeverinë e saj fashiste.

Lista Serbe, parti që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.