Sa më shumë kalojnë vitet, përgjegjësitë rriten, koha që ke për veten dhe për pasionet e tua tkurret njësoj si vija e flokëve para se të shkosh tek doktori për t’i mbjellë. Kujtoj që dikur, në kohë të gjimnazit shikoja 10 apo 13 filma në një fundjavë të vetme, më vonë kisha një ligj të pashkruar për të shkuar të paktën një herë në javë në kinema. Tani, nëse shoh një film në muaj, e konsideroj veten me fat.
Jetojmë në një kohë ku prodhimet filmike e televizive janë me kapicë, por rrallë, shumë rrallë ndodh që njëri syresh të ngrejë kokë, përpos përpjekjeve të vazhdueshme të marketingut për të na shtyrë të shohim ‘hitin’ më të ri të Hollywood -it. Një prej trendeve më të fuqishëm të këtyre muajve ka qënë rikthimi në ekranin e madh të yllit të viteve ’80-’90 – Demi Moore, në një film të thellë Horror, që është veti e rrallë e zhanrit.